
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Automjeti që drejtohet nga biznesmeni Irodhis Dalani, 61 vjeç, ish-kryetar i Komunes Livadhja është përplasur me një mjet tjetër duke shkaktuar plagosjen rëndë të Dalanit.
Pasi u transportua në spitalin e Sarandës, aty ku mori ndihmën e parë, Dalani është çuar në Janinë ku nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes së plotë.
Dalani ushtronte veprimtarine e prodhimit të djathit dhe kishte dalë herët për të mbledhur qumështin nga fermerët.
Mëngjesin e sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Gajtarit”, në Delvinë, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin I. D., 61 vjeç, banues së Sarandë, është përplasur me automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin N. B., 26 vjeç, banues në Delvinë. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë dërguar në spitalin e Sarandës, për të marrë mjekim.
Disa orë pas aksidentit, shtetasi I. D. ka humbur jetën gjatë kohës që po transportohej në Greqi, për mjekim më të specializuar. Në vijim të veprimeve procedurale, është arrestuar në flagrancë drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi N. B. Grupi hetimor vijon punën per sqarimin e rrethanave të aksidentit.
