Detaje të reja janë zbardhur nga kapja e autorëve të vrasjes së Edmond Papës. Përveç informacioneve në rrugë operative, pamjet e kamerave te sigurisë në zonë ne rrugën “Fadil Bodinaku” kanë ndihmuar grupin hetimor të zbulojnë autorin dhe itinerarin që ka ndjekur ky i fundit deri në momentin që ekzekutoi Edmond Papën brenda lokalit që ndodhej pranë banesës së vëllait të tij.

Kamerat e sigurisë kanë kapur edhe automjetin tip Audi ku 44 vjeçari A.B., e ka ndihmuar të largohet.

Siç ndodh në çdo vrasje autorët gjithmonë djegin automjetin që përdorin në vrasje, në këtë rast dy autorët nuk e kanë djegur automjetin tip Audi, kjo ka ndihmuar policinë që të gjejë automjetin që kanë përdorur autorët dhe të zbulojë prova të rëndësishme për implikimin e dy autorëve.

Grupi hetimor ka pamje nga kamerat e sigurisë ku largohet 30 vjeçari, por edhe pamje kur gjatë ditës së ngjarjes autorët kanë ndjekur dhe vëzhguar lëvizjet e Edmond Papës, i cili ka udhëtuar nga Saranda për në Tiranë.