Tri infermieret e dyshuara për dhunën ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë janë liruar nga paraburgimi.

Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, të cilat që prej datës 2 nëntor  po qëndronin në paraburgim me vendim gjykate, janë liruar ditën e sotme.

Ngjarja e rëndë e cila shokoi opinionin publik ndodhi në fillim të muajit nëntor, në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.

Në pamjet e publikuara gjerësisht në rrjetet sociale dhe që shkaktuan reagime të shumta për gjestin e shëmtuar, shfaqeshin disa punonjëse të kësaj shtëpie që sulmonin fizikisht një grua të moshuar, ndërsa njëra prej tyre e ka goditur me shuplaka vazhdimisht.

“Pak jam tu ja hi, qysh di me sjell unë”, dëgjohej infermierja e cila filmohej nga kolegia e saj teksa qeshte dhe e godiste me shpulla të moshuarën e cila qante.

“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.