Detaje të reja janë zbarhdur nga operacioni i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në pikën kufitare të Kapshticës, ku ranë në pranga dy shtetas rumunë.

Mësohet se të arrestuarit janë George Coman dhe Daniela Buturugaru, të cilët u kapën duke transportuar 118 kg kanabis, drejt Greqisë me anë të një mjeri rulot. Droga ishte e ndarë në 79 pako, teksa zbulimi u bë me ndihmën e qenve të policisë, të cilët arritën ta nuhasnin lëndën narkotike. 

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen 118 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Vihen në pranga 2 shtetas rumunë që tentuan ta trafikonin sasinë e drogës, nëpërmjet kufirit me Greqinë, me një automjet rulot.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Narkotikët dhe Trafiqet e Paligjshme të DVP Korçë dhe autoritetet doganore në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Itinerari”. Si rezultat i këtij operacioni, nga specialistët e Seksionit për Narkotikët dhe Trafiqet e Paligjshme të DVP Korçë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

G. C., 54 vjeç, banues në Ghimpajti dhe D. B., 36 vjeçe, banuese në Bukuresht, Rumani. Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të Republikës së Shqipërisë, Policia Kufitare ka kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip Camper të markës “Fiat”, me drejtues shtetasin G. C. dhe pasagjere shtetasen D. B.

Gjatë kontrollit të detajuar, duke përdorur edhe qenin antidrogë të Policisë, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 79 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 118 kilogramë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.