Dita e djeshme ishte e zezë për disa familje në vendin tonë, të cilët humbën të afërmit e tyre në mënyrë tragjike.

Ngjarjet e rënda të ndodhura një ditë më parë:

-Dy persona  ndërruan jetë në plazhin e Lezhës dhe Durrësit. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ata humbën jetën për shkak të arrestit kardiak.

Një 68-vjeçar në Porto Romano rreth orës 19:20 sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore, ku ka gjetur vdekjen. Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales ku humbi jetën një 52-vjeçar.

-Një tjetër tragjedi ndodhi në Gramsh. Babai, me dy djemtë e tij dhe nipin u mbytën në liqenin e Hidrocentralit të Banjës në Gramsh.

Të vdekur mbetën Gazment Zogu, 46 vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19 vjeç si dhe nipi 20-vjeçar Melis Zogu të gjithë nga fshati Cingar.

-Kurse një 58 vjeçar, që lëvizte me një kalë karroce u përplas për vdekje në qytetin e Elbasanit.

-Po këtë të premte, rreth orës 09:40, në Shkallnur të Durrësit, një 70-vjeçare, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, në banesë, dhe për pasojë ka humbur jetën.

-Gjatë pasdites, një i ri humbi jetën në Himarë pasi makina që po drejtonte doli nga rruga dhe u përmbys dhe për pasojë mbetën të plagosur edhe tre turistë të tjerë.

-Një 45-vjeçar ka humbur jetën këtë të premte në Elbasan pasi ka rënë nga lartësia. Ai ka qenë duke lyer muret e një ndërtese kur ka rënë aksidentalisht.

-Ndërkohë, pak para mesnatës një tjetër aksident u raportua në Tiranë. Një mjet tip “Range Rover” ka rënë në një humnerë  dhe për pasojë kanë ndërruar jetë dy personat që ndodheshin në të.