Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet, ku një efektiv i komisariatit numër 3 ka qëlluar 7 herë me armë mbi kolegun e tij, duke i marrë jetën. Që të dy oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Ludian Zaimi ka qëlluar 7 herë mbi kolegun e tij, Çaush Saliasi 55 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital. Zaimi kishte vetëm 1 vit e gjysmë që ishte bërë pjesë e forcave të policisë, ndërkohë që viktima kishte mbi 20 vite që shërbente për uniformat blu.

Në dëshminë e Zaimit thuhet se autori ka thënë se viktima e ka ngacmuar me fjalë dhe të gjitha këto i kishte akumuluar.

“Para se të merrnin shërbimin ndodheshim në zyrën e ndarjes së turneve. Kam qenë tejet i mbyllur, më ka ngacmuar me fjalë dhe disa herë ofenduese. I kisha akumuluar të gjitha këto deri në mbrëmjen e sotme”, ka thënë ai.

Kjo ngjarje e rëndë është komentuar ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes ishte gazetari, Eraldo Harlicaj, i cili u shpreh se 25-vjeçari merrte mjekim antidepresiv dhe se ishte natyrë e mbyllur.

I pyetur nëse ka patur mesazh apo telefonatë të orëve të fundit mes autorit dhe viktimës, gazetari shprehet se “nuk flitet për një gjë të tillë”. Sipas tij, në momentin që ka ndodhur ngjarja, një koleg ka arritur që ta neutralizojë të riun.

“Ai e ka pyetur Zaimin dhe i ka thënë pse nuk je ankuar për të bërë ndryshim turnesh. Nuk ka pasur një përgjigje konkrete dhe është justifikuar se ka qenë i bullizuar nga shefi i tij. Kishte vetëm 1 vit e gjysmë në punë. Fakti që janë gjetur ilaçe e bën më të vështirë, a ishe ai në gjendje të përdorte një armë? A ishte i aftë për të qenë pjesë e policisë së shtetit”, tha Harlicaj.

Ky i fundit shtoi më pas se në momentin që ka ndodhur ngjarja e rëndë kanë qenë rreth 10 efektivë, 3 gra dhe 7 burra, të cilët janë ulur në tokë pasi janë gjetur krejtësisht të papërgatitur nga sulmi.

“25-vjeçari ka zbrazur një karikatore të plotë, 7 plumba në trupin e kolegut”, tha ai.

Sipas gazetarit, autori i ngjarjes së rëndë ka një familje të rregullt dhe jeton me prindërit.

“Ata e kanë ditur çështjen e tij pasi jetojnë me të. Ky akumulim ka shpërthyer në këtë ngjarje të rëndë. Zaimi ka qenë vartësi i tij dhe kanë bërë turnet e treta. Ofendimet nga ana e Saliasit nuk janë duruar nga i riu. Sipas deklaratës së tij , ai ka thënë se është bullizuar gjatë gjithë kohës”, u shpreh Harlicaj.