Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni anti-drogë, i zhvilluar gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm në Korë.
Mësohet se 3 persona kanë rënë në pranga, teksa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas kapjes së 58 kg, kanabis, që synohej të transportohej drejt Maqedonisë së Veriut.
Mësohet se në pranga kanë rënë 28-vjearja Erisa Fero, dhe 32-vjeari Likë Basha, po ashtu edhe shtetasi i mitur, M. K 17 vjeç.
Këta persona kishin transportuar drogën nga Tirana drejt pikës kufitare Qafë-Thanë, ku droga do merrej nga dy shtetas të tjerë, F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, tashmë të shpallur në kërkim. Ata do e transportonin në Maqedoni për ta shitur më pas.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij.
Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve Erisa Fero 28 vjeç, Likë Basha 32 vjeç dhe dhe M. K 17 vjeç.
Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.
Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.