39-vjeçarja Viola Sterjo, ish-drejtoreshe e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, u arrestua dje për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, Sterjo, dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Por si arriti policia ta zbulonte krimin e Sterjos?
Në datën 12 dhjetor 2022 shtetasi Thanas Sulo ka bërë kallëzim para oficerit të policisë gjyqësore duke dhënë këtë deklaruar se në mars të vitit 2020,përmes një të njohuri të tij që quhet Genti, i cili ka një lokal afër me pikën e tij të karburantit, është njohur me një shtetase të quajtur Viola Sterjo, me origjinë nga Pogradeci, e cila në atë kohë punonte tek e- Albania në Tiranë, ndërsa aktualisht punon tek AKSHI.
Kur e ka njohur këtë shtetase ajo i kishte premtuar Gentit që ai do përfitonte një grant me vlerë 3.5 milion euro për të bërë një hotel në Voskopojë. Nga Genti denoncuesi ka mësuar se ai i kishte dhënë Sterjos në dorë 160 mijë dollarë.
Në vijim, Thanas Sulo deklaron se donte që në tokën e karburantit të tij të bënte një hotel dhe i ka kërkuar Gentit, që ta prezantonte me Violën.
Pasi e ka takuar Viola Sterjon i ka treguar që donte të ndërtonte një hotel në tokën e karburantit. Pas bisedave paraprake Viola i ka kërkuar shuma lekësh duke i premtuar që ajo do të ndërhynte tek ata që do t’i jepnin grantin tek AZHBR.
Sulo i ka dhënë Viola Sterjos 57 mijë euro dhe 1. 000.00 lekë. Sulo ka deklaruar se shumat e parave ia ka dhënë Viola Sterjos në Korçë dhe Tiranë. Sipas kallëzuesit, pasi i ka dhënë lekët Viola Sterjos ka qenë në pritje të fitimit të grantit, të cilin ajo ia kishte premtuar se do t’i jepej deri nË tetor te 2020.