Është identifikuar e reja e cila u gjet e vdekur paraditen e sotme në qytetin e Durrësit.

Sipas policisë, viktima është Luljeta Preza, 32 vjeç, e cila u gjet e vdekur poshtë urës së “Dajlanit”.  32-vjeçarja dyshohet se është përdhunuar dhe abuzuar seksualisht, e më pas është vrarë, pasi në trup i janë gjetur shenja dhune dhe të çara.

E reja dyshohet se mund të jetë trafikuar për prostitucion, megjithatë hetimet ende vazhdojnë, teksa janë shoqëruar 17 persona.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:

Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja Luljeta Preza, 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.

Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.

Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.