Deputetët e Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga seanca plenare, kanë kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi pranë Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë, duke thënë se është marrë në shkelje të kushtetutës.
Në këtë kërkesë për ankimim, të firmosur nga Flamur Noka, Edi Paloka dhe Belind Këlliçi, kërkohet shfuqizimi i menjëhershëm i vendimit, ndërsa thuhet se deputetët e PD të cilët janë përjashtuar, nuk kanë thyer asnjë rregullore dhe se duhet të futen në Kuvend deri sa të mblidhet Konferenca për ta shqyrtuar. Kërkesa po ashtu i është dërguar edhe Gardës.
Belind Këlliçi: Kjo është një çmenduri e Edi Ramës, kjo është cmenduri e Lindita Nikollës, është e disata herë që unë përjashtohem nga Kuvendi pa folur.
A kanë fytyrë këta të dalin përpara njerëzve. Nxjerrin Gardën këtu, nga kush e mbrojnë këta Kuvendin, nga unë? Nga Belind Këlliçi? Pse nuk e ndalojnë këta kryeministrin Edi Rama që vjedh. Kërkojmë fjalën për procedurë nuk na jepet fjala.
Unë e di që dosja e McGonigal e ka tërbuar, por nuk do të shpëtojë. Thjesht po shtyn agoninë e tij. Ne duhet të futemi në seancë plenare dhe Garda është këtu për të zbatuar ligjin. Nuk më intereson asgjë, unë aktualisht që po flas duhet të jem në seancë.