Policia e Tiranës ka vënë në pranga 20 persona dhe ka shpallur në kërkim 4 të tjerë, në kuadër të operacionit “Harta” të zhvilluar ditën e djeshme.

24 personat e identifikuar, janë pjesë e 2 grupeve kriminale në Tiranë që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike, kanabis, kokainë dhe heroinë në shkollat dhe në klubet e natës së kryeqytetit.

Falë hetimeve të nisura që në janar të këtij viti policia arriti të provojë se shpërndarësit  në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në disa grupe dhe shpërndanin lëndë narkotike në zona si Ali Demi, rruga Bardhyl, Oxhaku, zona e Bllokut dhe shkolla PetroNini, Stacioni i Trenit, ish-Parku, Lapraka etj.

Të ftuar në “Shqipëria Live” gazetari Eduart Halili foli në lidhje me mënyrën e organizimit të këtij grupi kriminal.

“Kemi të bëjmë më një grup që nuk ka një “kokë”. Kemi të bëjmë me grupe që vepronin të ndarë në periferi dhe zona të ndryshme të kryeqytetit.

4 persona ndodhen në kërkim, 2 prej tyre janë vajza, njëra dyshohet që është larguar nga Shqipëria.

Një rol kanë luajtur edhe për qytetarët, që kanë bërë denoncime për këtë grup, pasi këta të fundit vepronin tek shkollat e kryeqytetit.

Një tjetër detaj e këtij grupi kriminal eshtë se përdonin kode në bazë edhe të produktit që shpërndanin. Ata përdornin “pluhri i zanave” për kokainën, “seqe” për hashashin”, tha gazetari Halili.