Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimi (Sidorel Prendi) ka mohuar që djali i tij të ketë lidhje me atentatin ndaj Ylli Ibrahimit ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Në Shënjestër la publikuar sot dëshminë e tij para grupit htimor, i cili e ka marrë në pyetje në momentin që ka ushtruar kontroll në banesë për gjetjen e të riut.
Gjovalin Prendi thotë se ata ishin rreth krushqie me Ylli Ibrahimin (Brahja), pasi nusja e djalit të tij, e kishte njeri të afërt.
“Nuk kam asnjë dijeni për ngjarjen e rëndë. Gjithçka e mësova nga televizori. Klisman Preçin nuk e njoh fare. Kurse Ylli Brahimin e njoh pasi kam lidhje miqësore. Kjo, pasi nusja e djalit tim, Roan Brahimi (Sidorel Prendi) është kushërirë e afërt e Ylli Brahimit. Me sa di unë, babain e nuses së djalit tim, Ylli e ka djalë xhaxhai. Djali im Roan Brahimi ndodhet jashtë shtetit. Se në cilin shtet nuk e di, pasi nuk kam asnjë komunikim me të prej kohësh, prej më tepër se një vit. Nuk i kam as numër telefoni dhe asnjë adresë në rrjetet sociale. Nuk kam asnjë dijeni që djali im të ketë pasur apo ka konflikte me Ylli Brahimin dhe njerëzit e tij. Marrëdhëniet e mia me miqtë janë normale dhe korrekte. Ashtu kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë. Lidhur me ngjarjen e ndodhur dua të them se më ka ardhur shumë keq, pasi i kam miq shtëpie,”– thotë Prendi.
Si ndodhi atentati?
Klisman Preçi dhe Ylli Ibrahimi po lëviznin me një mjet të blinduar, por 108 plumba blindshpues arritën që u futen brenda mjetit. 28-vjeçari Preçi u qëllua i pari, në momentin që ka zbritur nga makina. Pas tij, Ylli Brahimi ka hapur derën dhe ka tentuar të dalë nga mjeti në të cilin ishte si pasagjer, por përballë të shtënave pa ndërprerje që kanë zgjatur afro 3 minuta, ai ka hyrë sërish në makinë për t’u mbrojtur nga plumbat. Preçi humbi jetën ndërsa Ibrahimi mbijetoi. Para prokurorëve, Ibrahimi nuk ka dhënë asnjë detaj nga ngjajra e ndodhur.