“Përsa i përket pjesës veriore siç e dini edhe ju situatën është e tensionuar. Ku në këtë rast vetëm qytetarët e thjeshtë janë ata që e pësojnë. Pasi ne e dimë që historikisht prej komunitetit serb janë instrumentalizuar nga Beogradi që të krijojnë tensione.” u shpreh politologu, Abdullah Sadiku.
Data 15 dhjetor. Dita e dytë në këtë zonë. Është dita e 6-të e vendosjes së barrikadave. Ekipi i Inside Story njoftohet që në mëngjes nga banorë të Mitrovicës së Jugut se serbët kanë vendosur një barrikadë të re gjatë natës në afërsi të fshatit Çabër, i cili është i banuar nga shqiptarë.
Kjo barrikadë është vendosur në rrugën që të con në një nga qytetet e tjera me shumicë serbe, ai i Zubin Potokut.
Është ora 14:30 dhe dy kamione të mëdhenj janë vendosur kryq në mes të rrugës. Duket se bllokada e serbëve po bëhet më e madhe duke krijuar një izolim cdo ditë edhe më të madh nga pjesa tjetër e Kosovës.
“Jemi larg normaliteti të Tiranës, Shkupit, Prishtinës. Ne në fund të ditë s’jemi njerëz, po rrisim fëmijë të traumatizuar.”- u shpreh Skëndër Sadiku, Zv/Kryesues i Kuvendit Komunal, Mitrovicë Veriore.
“Në fakt konflikti që ekziston këtu që nga pas lufta është rezultat i konfliktit Prishtinë-Beograd. Nuk është situatë xhenuine që ekziston dhe as Beogradi dhe as Prishtina nuk mund ta rregullojnë. Është e kundërta është pikërisht përplasja që bëhet këtu për këtë qytet që është më i rëndësishmi në pikpamjen gjeostrategjike për rajonin” u shpreh politiologu, Nexhmedin Spahiu.