Është mbledhur ditën e sotme Komisioni i etikës, për të vendosur në lidhje me përjashtimin që kanë kërkuar socialistët, për 10 deputetë të Partisë Demokratike.
Mbledhja nuk është transmetuar në faqen e Kuvendit, megjithatë deputetët e PD e kanë regjistruar atë në profilet e tyre zyrtare.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi e cilësoi të padrejtë vendimin për të përjashtuar deputetët nga seanca duke theksuar se ai është urdhëruar nga lart për të shmangur diskutimet për skandalin “McGonigal”, ku rezulton i përfshirë kryeministri Edi Rama.
“Po shkelni në mënyrë konseguente rregulloren e parlamentit. Vini këtu dhe na tregoni rregulloren kur ti e nis mbledhjen me shkelje të rregullores. Keni marrë urdhër për të dënuar deputetët e PD sepse nuk ju pëlqen ju sipas oreksit të fjalëve të thëna dhe akuzave të vërteta të dala me fakte nga mediat ndërkombëtare dhe që priten që ato çështje penale të hapura në SHBA të vazhdojnë edhe këtu në Shqipëri”, deklaroi ai.