Vijon të mbetet mister fati i të shumëkërkuarit Talo Çela, i shpallur në kërkim për disa vepra të ndryshme penale.
Teksa nuk ka asnjë gjurmë, mësohet se autoritetet kanë gjetur një tjetër pistë që mund të lidhet me fatin e tij. Dyshohet se përgjatë kohëve të fundit, Çela ishte përfshirë në një konflikt me të ashtuquajturin “Grupi i Dubait”. Kohët e fundit, Çela kishte nisur të hartonte një plan që të ruhej prej tyre dhe dyshohet se ka nisur të krijojë grupin e vet.
Ai është tërhequr duke shkëputur lidhjet me pjesëtarët e këtij grupi, në mënyrë që ata të mos e eliminojnë.
Çela është i dyshuari kryesor për një sërë vrasjesh dhe grabitjesh të ndodhura në vend, përfshirë edhe grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Emri i tij doli edhe në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili e implikon atë në disa krime të rënda.
Për kapjen e Talo Çelës, deri më tani kanë dështuar më shumë se 20 operacionit të kryera nga forcat RENEA, të cilat janë kryer në territore të ndryshme të Shqipërisë, aty ku ka pasur informacione se fshihej i shumëkërkuari.