Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar sërish ditën e sotme të pranojë rezultatin e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 14 maj, ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” regjistroi një humbje të thellë.

Në një konferencë për mediat, Beisha e cilësoi procesin si farsë, teksa solli si argument raportin e OSBE-ODIHR, për shkeljet e hasura gjatë votimeve.

“Farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Evropës, po kundërmon çdo ditë e më shumë. Unë vlerësoj me këtë rast raportin e OSBE-ODIHR, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë.

Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit. Raporti paraprak, ndonëse është jo përfundimtar vendos gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor. SI një akt që krijon  pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha fortuat e ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve. Nënvizon blerjen masive të votës gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe në procesin e votimit. Për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar të institucioneve më prestigjiozë të zgjedhjeve në Evropë, OSBE, Këshillit të Evropës, dhe Parlamentit Europian, dështuan siç e patë vetë. Ata refuzuan të nxirrnin nga goja çdo cilësor që u kërkua nga mediat e Edi Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve, më të manipuluara dhe rrënuara në historinë e Shqipërisë. Në këtë kontekst, populli opozitar pa në dritën e diellit përpjekjen e narko-shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën, jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin në ligj dhe kushtetutë, por kaloi në aktin e mohimit të drejtës së koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vet dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës, nuk lejoj regjistrimin e tij në listë”-tha Berisha.