Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme, ndërsa në rend dite është parashikuar që disa institucione si KQZ, Autoriteti i Dosjeve, ILDKPKI, INSTAT, të paraqesin raportin për veprimtarinë e vitit që lamë pas.

Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës dhe në pikën e parë të fusin kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.

Këtë kërkesë, Bardhi e kishte paralajmëruar edhe ditën e djeshme pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku PS dhe PD ranë dakord për heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt, por sot i drejtohet Kuvendit me një kërkesë zyrtare.

Në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë në Këshillin e Mandateve, PS dhe PD ranë dakord që t’i hiqnin mandatin e deputetit Arben Ahmetajt. Opozita e prezantoi që dje raportin e saj, ndërsa PS kërkoi më shumë kohë dhe tha se do ta paraqesë të premten, e ndërsa është vendosur që kërkesa e SPAK të futet rendin e ditës në seancën plenare të së hënës.