Teksa fati i Ervis Martinajt mbetet ende mister, policia, RENEA dhe FNSH kanë bastisur në orët e para të mëngjesit të sotëm banesën e tij në Fushë Kuqe.
Deri më tani nuk dihen se çfarë ka gjetur policia në banesën e Martinajt, ndërtesë kjo e fortifikuar me mure të larta me hekura dhe me kamera sigurie. Mësohet se aksioni në Fushë Kuqe ka ardhur pas disa informacioneve se në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe ka lëvizje.
Duke qenë edhe dita e shënuar e Krishtlindjeve, mësohet se ka pasur informacion se Ervis Martinaj mund të shfaqej në zonë apo pranë familjes së tij pas 5 muajsh i shpallur si i zhdukur.
Megjithatë deri më tani nuk dihet nëse autoritetet kanë rënë në gjurmët e Ervis Martinajt pas aksionit të zhvilluar.
Kujtojmë se dy ditë më parë FNSH dhe RENEA zbarkuan në Vlorë ku u ngritën disa postblloqe, ku edhe për këtë aksion kishte informacion se mund të gjendeshin gjurmë të Ervis Martinajt.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Në harkun kohor të 5 muajve, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete, ndërsa disa edhe janë zbuluar për mediat.