Dy operacione të veçanta janë kryer këtë të enjte, ku janë goditur dy raste të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Një operacion është zhvilluar nga Prokuroria Speciale në Malin e Zi në bashkëpunim me autoritet shqiptare. Mediat malazeze raportojnë se kokaina ishte fshehur në thasë me pleh kimik është zbuluar nga policia malazeze në korrik, me ndihmën e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, pasi ngarkesa mbërriti në Portin e Tivarit.

Inspektorët e Sektorit Kundër Krimit atëherë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit dhe kolegë nga Shqipëria, e mbajtën nën vëzhgim dërgesën derisa të vinte porositësi, gjë që ndodhi sot. Sipas informacioneve të “Vijesti”, në operacion janë arrestuar disa persona dhe në territorin e Shqipërisë, afër Tiranës, po kontrollohet një magazinë në pronësi të njërit prej të arrestuarve.

Ndërsa operacioni tjetër është ai i zhvilluar në Fratar të Fierit, i kryer nga SPAK dhe DEA pas gati 3 muajsh hetime, ku të paktë 15 persona u arrestuan.

Megjithatë, edhe pse në dukje janë operacione të veçuar, dyshohet se operacionet kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën pasi destinacioni nga ka ardhur droga që është kapur në Portin e Tivarit është i njëjtë me destinacioni nga ka ardhur droga e cila u zbulua në Fratar të Fierit.

Bëhet fjalë për 400 kg pleh kimik të përzier me kokainë e kapur në Fratar të Fierit dhe po ashtu edhe në portin e Tivarit u kap rreth 400 kg pleh kimik i përzier me kokainë.