Banorët e Bërxullës janë ngritur sërish ditën e sotme në protestë, duke kërkuar dëmshpërblim nga shteti për prishjen e banesave të tyre.
Ata kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga e drejta e tyre për shpronësim sipas vlerës së tregut për pronat e tyre. Një banore ka nxjerrë para mediave ilaçet që konsumon për një muaj, duke treguar se vuan nga disa sëmundje, por megjithatë zëri i saj nuk dëgjohet nga shteti.
Pronat e banorëve të Bërxullës preken nga ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar dhe aktualisht kanë nisur punimet. Banorët protestojnë prej muajit tetor, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Banorja e Bërxullës: Unë jam protestuesja nga 1 tetori deri më sot 30 prill. kam 45 vjet që përdor këto ilaçe për një muaj. Janë për astmën, për alergjinë. Kjo është për zemrën, për tension dhe hollues gjaku. Për tiroiden, për reumatizmin dhe kjo për veshin e mesit. Këto ilaçe që përdor unë dhe karamele e çokollata t’i hash për një muaj janë të dëmshme, jo më këto ilaçe. Populli shqiptar ta marrë vesh, shteti shqiptar ta marrë vesh, i gjithë ky hall që më ka rënë më ka rënë nga shteti jo nga Zoti. Zoti më jep durimin, kurajën. Ju falënderoj ju mediat që dëgjoni zërin tim që shteti nuk e dëgjon. Unë sot një nënë 63-vjeçare të dalë në të gjitha mediat, a ka më turp e padrejtësi, për gjithë ato sakrifica që kam kaluar në jetën time.
Të më japë dëmshpërblim për banesën, të na bëjnë rrugën, të na bëjnë nënkalim.
Ky shtet më hajduti në 30 vjet. Shteti shqiptar ta bëjë mend mirë. Kur të vijë te shtëpia ime ta bëjë mend mirë.
Bashkëshorti: Ne nuk heqim dorë. Do qëndrojmë. Jetojmë me bujqësi. Ngrihem në 5 të mëngjesit për të punuar. Sot kanë shkuar çmimet në qiell, a bëhet një shtëpi sot? Mezi e ndërtuam. Hajde zotëri ballafaqohu, më jep një të drejtë. Unë nuk jam ai që s’dua rrugën. Nuk shembet shtëpia me forcë, vetëm me ligj. Të gjitha instancave i jam drejtuar. Me sakrificë çdo gjë. Në spital, e me bujqësi. I kam ndërtuar me djersë. Nuk ka burrë nëne që ma shemb shtëpinë mua.