I plagosuri në sherrin për guroren në Borizanë të Krujës, Jashar Maja tha për Top Channel se shpërthimet e gurores po u dëmtojnë shtëpitë, të cilat i mbijetuan edhe tërmetit të 26 nëntorit.
I plagosuri Jashar Maja për Top Channel: Shkuam në lokal të takonim inxhinierin e minave t’i kërkonim t’i zbuste minat se po na shemben shtëpitë. Ai na tha minat nuk ju prekin. Në këto biseda vijnë Xhelal Rraja, Flamuri, Petriti dhe fisi i tyre me shkopinj e pistoleta. Na dhunuan. Kushëririn, Bilbilin e dhunuan më shumë. Ka kokën të çarë, dorën të thyer e dëmtime në shpinë dhe këmbë. Me zor dolëm deri në rrugë. Njoftova policinë ajo erdhi dy orë me vonesë. Me guroret kemi kohë që kemi probleme. Kemi bërë kallzime kemi bërë protesta askush nuk na dëgjoi. Atë që nuk na i beri tërmeti po na i bën gurorja.
Dy persona mbetën të plagosur gjatë një sulmi me mjete të forta në Borizanë të Krujës.
Afër shtëpive të dy prej banorëve të Borizanës, Bilbil Maja dhe Jashar Maja, ka një gurore në emër të Përparim Rrajës, e cila është e licensuar.
Sipas informacioneve, Nga shpërthimet në gurore atyre u dëmtohen shtëpitë dhe për ktë shkak ata janë ankuar në polici, por nuk është bërë asnjë veprim.
Një ditë më parë, ata ishin në një lokal duke folur me një prej punonjësve të minave të kësaj guroreje për të kërkuar zbutje të agresivitetit të mjeteve shpërthyese, por kjo ka sjellë tension dhe Xhelal, Përparim Rraja e disa persona të tjerë i dhunuan me shkopinj dhe tyta pistolete.
Rezulton se Përparim Rraja është vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja. Jashar Maja ka marrë më pak lëndime, ndërsa kushëriri i tij Bilbil Maja ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të dëmtimeve që ka marrë në kokë.
Katër persona janë arrestuar për dhunën në Borizanë të Krujës, ndërsa janë shpallur në kërkim tre të tjerë. Në pranga ranë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja./ Top Channel