Kujtim Margjeka, banues në fshatin Bujan të Tropojës, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ditën e zgjedhjeve pasi postoi një foto.
Margjeka publikoi një foto, ku tregonte vështirësitë që ai dhe bashkëshortja e tij u duhet të kalonin për të shkuar për të votuar, për shkak se ura që lidhte fshatin e tyre me qendrën e votimit është e prishur.
“Nuk e besonim që do bëhej kaq virale. Gjendja e urës është e tillë që prej 2004-ës. Na e kanë premtuar shumë herë, kryetari i bashkisë, deputeti, madje edhe 3 javë para votimeve. Ne kishim shpresë se do rregullohej gjatë fushatës. Jemi 80 banorë që kalojmë nga kjo urë. Është shumë larg rruga që të çon në aksin kryesor dhe detyrohemi të kalojmë aty. Kalojmë shumë shpesh në këtë urë. Rrugët kryesore janë të shtruara me asfalt, por rrugët dytësore që lidhin fshatrat janë si mos më keq sepse nuk i kanë parë si primare. Ne nuk kemi rrugë tjetër ku të shkojmë. Ka dhe fëmijë që kalojnë aty. Ishte riparuar para 2-3 virtesh me dërrasa por ato u kalbën, lëvizën, ranë në lumë. Deri tani nuk ka asnjë rast që dikush të ketë humbur jetën, as nuk kanë rënë në ujë. Ura është e ndërtuar që në vitin 1965.”- tha zotëria.