Në 8 mars Zvicra miratoi ligjin i cili ndalon mbajtjen e burkas në vende publike. Rezultatet zyrtare të 7 marsit kanë treguar se 51.2 për qind e votuesve kanë mbështetur ndalesën, derisa pjesëmarrja në votime ka qenë 50.8 për qind.
Lidhur me këtë vendim pati debate në emisionin “Shqipëria Live”, ku në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte aktivistja, Sevim Arbana, e cila u shpreh se është “pro mbulesës, shamia nuk ka vend për diskutim”.
Por ajo shtoi se “burka është përdorur nga sektet e islamit, që nuk është në kulturën tonë. As në kohën e Zogut”.
Arbana u shpreh se njerëzit janë të lirë që të udhëtojnë në të gjithë botën, por kur shkon te një vend tjetër, ti duhet të respektosh rregullat që ka ai vend.
“Zvicra u jep të drejtën këtyre qytetarëve që të lëvizin lirshëm, por duke shkuar te shtëpia e tjetrit, duhet të respektohen rregullat që ata kanë. Unë trembem kur shoh një femër të mbuluar kokë e këmbë, mund të jetë një kriminel, një burrë”, tha aktivistja e njohur.
Ajo ngriti gjithashtu pyetjen se si mund të jenë të integruara këto femra të mbuluara nga koka te këmbët, edhe fytyrën, në shoqëri? Sipas saj, kjo nuk është një zgjedhje e tyre.