Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka reaguar në lidhje me vendimin e Zvicrës që ndalon bartjen e burkës. Lama e cila ka qenë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se edhe shteti i Kosovës, duhet të marrë një vendim të tillë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas vlen te theksohet se Zvicra e ndaloi mbajtjen e burkas në vendet publike. Të njëjtën duhet të bëjë edhe Kosova”, ka shkruar Lame në postimin e saj.

Ajo ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku sqaroi postimin e saj. Ajo u shpreh se propozimi i saj vjen pasi beson se mbulimi i fytyrës, burka, janë diskriminuese për vetë gratë.

“Vijnë nga kultura arabe që nuk përkon me kulturën tonë shqiptare. Ka edhe politikë të moralit. Nuk besoj se gratë në botën arabe e zgjedhin me dëshirë. Njoh shumë gra arabe që e kanë të imponuar”, tha ajo.

Ndërsa duke folur për ndalimin e burkas në Kosovë, Lame tha se për postimin e saj ka marrë reagime të shumta, ku shumica prej tyre kanë qenë kërcënime me jetë, sharje dhe fyerje.

“Unë dhashë një mendim timin, dhe për këtë mendim të lirë pata fyerje të shumta e madje edhe kërcënime me jetë”, tha ish-ambasadorja e Kosovës në Itali.

Sipas saj, ka pasur një degradim të kulturës fetare moderne në trojet shqiptare, e kjo ka ndodhur edhe në Kosovë.