Fati i Ervis Martinajt mbetet ende mister, teksa tashme kanë kaluar plot 5 muaj që prej momentit kur ai u shpall i zhdukur.

RENEA-t dhe FNSH zhvilluan ditën e djeshme kontrolle në shtëpinë e “mbretit” të lojërave të fatit, dhe familjarëve të tij, duke zbuluar një arsenal armësh. Nuk dihet nëse kontrollet u ndërmorën pas një informacioni për lëvizje nga ana e Martinajt, megjithatë duket se një indicie ka ardhur nga burgu i Peqinit.

Mësohet se një telefonatë është kapur nga “radarët” e Policisë së Shtetit, në të cilën flitej për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.

Deri më tani nuk është zbardhur emri i personit që kërkonte informacione mbi të, por mësohet se një person e kishte përmendur në bisedë duke lënë të kuptohet se ishte kthyer në ‘fortesën’ e tij në fshatin Fushë Kuqe të Kurbinit.

Pa humbur kohë, Policia e Shtetit ka kryer kontrolle dhe ka zbuluar e sekuestruar armë dhe municion luftarak, që ishte i fshehur në kosheret e blertëve në pronën e familjes Martinaj, përfshirë edhe në ato të dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinajt.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.