Policia e Dibrës ka njoftuar ditën e djeshme se ka vënë në pranga një person pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ka qenë pikërisht momenti i përplasjes me makinë që ka zbuluar një tjetër krim të rëndë të dibranit, i cili pasi iu ka bërë testi i alkoolit nuk ka rezultuar vetëm i pirë, por edhe dhunues i bashkëshortes së vet. Të dhënat e bëra me dije tregojnë se dibrani u përplas me automjet teksa çonte bashkëshorten në spital.

Mjekët kanë parë se bëhet fjalë për helmim të gruas dhe pasi bashkëshorti i saj është vë në pranga se ngiste makinën i pirë, është mundur të merret edhe dëshmia e bashkëshortes së tij në spital. Rrëfimi i saj ka bërë që burri të vihet në pranga nën dy akuza, përfshirë edhe shkaktimin e vetëvrasjes. Policia e Dibrës nuk e ka publikuar identitetin e bashkëshortit dhunues ndërkohë që pritet dalja e tij para Gjykatës. Sipas të dhënave bëhet me dije se gruaja ka dalë nga rreziku për jetën dhe gjendet nën kujdesin e mjekëve.

POLICIA

Policia kë bërë me dije se ka vënë menjëherë në pranga 37-vjeçarin dhe ka transportuar për në spital bashkëshorten e tij, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale ‘Shkaktim i vetëvrasjes’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, i shtetasit B.R., 37 vjeç, banues në Dibër. Shtetasi B.R., duke transportuar me automjet bashkëshorten e tij për ndihmë mjekësore në spital, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti është përplasur me një mjet tjetër duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Pas testit të alkoolit, shtetasi B.R. ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, i cili në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestua për veprat penale ‘Shkaktim i vetëvrasjes’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’”, njoftoi policia. Statistikat, për vitin 2022 Rritet dhuna në familje. Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se numri i rasteve të denoncuara gjatë vitit 2022 është më i lartë se në vitin 2021. Gjithsej në zyrat e Policisë janë raportuar për 5213 të dëmtuar nga dhuna dhe nga krimet e tjera në familje, nga të cilat 3760 janë gra dhe vajza.

Sipas të dhënave, janë raportuar 2386 raste dhune më shumë krahasuar me 2021-in. Për 2205 gra dhe vajza që kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre, janë lëshuar urdhra të menjëhershëm mbrojtje. Përtej të rriturve që shkaktojnë dhunën, një pasojë po aq e rëndë kalon edhe te të vegjlit. Përgjatë 2022-shit, të dëmtuar nga dhuna dhe krime të tjera të ndodhura në familje, janë 266 fëmijë, 109 prej të cilëve janë pajisur me urdhër mbrojtjeje. Dhuna në familje është një fenomen i përhapur në shoqërinë shqiptare. Herë për shkak ekonomisë së dobët, e herë për shkak të abuzim me pijet alkoolike e drogërave.