Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj ka shprehur shqetësimin për cilësinë në arsim, duke ngritur kritika të ashpra kundër Universitetit Bujqësor në Shqipëri.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës,  Kokaj deklaroi se këtë Universitet e ka vizituar së fundmi bashkë me anëtarë tjerë të Komisionit parlamentar për Arsim. Ai ironizoi duke thënë se Ballkani ka shumë Univeristete, por mungon ai i pulave.

“Vizituam edhe Universitetin e Bujqësisë. Në mesin e shumë universiteteve do me thënë – se ne kemi shumë universitete këtu në Ballkan, vetëm universitetin e pulave s’e kemi akoma. Dmth kemi shumë universitete në Ballkan”, tha Kokaj në seancën e sotme të Kuvendit.

Ai kishte krititka dhe për rektorin, i cili sipas tij  nuk kishte përgjigjje kur ishte pyetur për nivelin e institucionit arsimor.

“Nuk e kam tha këtë orientim. Nuk e di çfarë niveli. Do me thënë është nivel pa nivel, s’ka kurrfarë niveli. Ky degradim i thirrjes akademike me këta doktorantë e këta doktora, unë nga kjo foltore e quaj skandaloze. Skandaloze sepse nuk doktorohet kolegë të nderuar në këto banka ku jeni – me gjithë respektin sepse ju dua shumë të gjithëve – por njëri përgatit master, tjetri master, 15 doktoratura etj etj, kjo është lojë, mund të jetë lojë e fëmijëve”, tha Kokaj.