Një 25-vjeçare shqiptare është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani, pasi akuzohet për vrasjen e vajzës së saj, vetëm 4 vjeç.
Sipas mediave gjermane, shqiptarja akuzohet se ka derdhur qëllimisht ujë të nxehtë mbi fëmijën e saj, të cilën e ka lënë të vuajë për 12 ditë pa e dërguar në spital, deri sa ajo vdiq.
Gruaja u justifikua se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor dhe kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet e mjekimit, për këtë arsye nuk e dërgoi në spital.
Në gusht të vitit 2022, ajo kishte larë qëllimisht të bijën në apartamentin e saj, në Grasberg afër Bremenit, me ujë aq të nxehtë sa fëmija pësoi djegie me rrezik për jetën.
Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka mjekuar vetë fëmijën duke e lyer me pomadë dhe fasha por kjo gjë e ka përkeqësuar gjendjen e saj. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo nuk kishte vepruar.
Vajza ka vdekur dymbëdhjetë ditë pas djegies. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë dhe sipas autoriteteve, e mitura ka pasur një vdekje të dhimbshme.
Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza.
Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.