Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku është gjetur një trup i dekompozuar.

Mësohet se trupi i përket një shtetasi koreano-jugor, ndërsa është gjetur në një banesë të marrë me qira. Ka qenë pronari i banesës që ka njoftuar policinë, pasi kishte shkuar të kontrollonte shtëpinë për shkak se qiramarrësi nuk i përgjigjej në telefon.

Shkak i vdekjes dyshohet të jetë mbidoza nga droga, pasi pranë trupit janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike dhe në trup nuk kishte shenja dhune. 39-vjeçari koreano-jugor jetonte në Shkodër prej shkurtit të vitit 2022.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nga shtetasi A. V., 38 vjeç, se në banesën që kishte lënë me qira, në lagjen “Naim Gjylbegu”, kishte gjetur të dekompozuar trupin e shtetasit D. K., 39 vjeç (qiramarrësi), lindur në Korenë e Jugut dhe banues në Shkodër (që nga muaji shkurt i vitit 2022).

Sipas deklarimeve të 38-vjeçarit, ai kishte shkuar në këtë banesë, pasi prej muajsh nuk kishte përgjigje nga qiramarrësi i saj, shtetasi D. K., dhe kur ka konstatuar trupin e dekompozuar të këtij shtetasi, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Nga këqyrja paraprake e trupit të 39-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa nga kontrollet e imtësishme në këtë banesë, janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike. Paraprakisht dyshohet se shtetasi D. K. e ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.