Gazeta Shqip ka mësuar detaje të reja lidhur me vrasjen e të riut nga Gramshi, Eni Dollani, në Greqi.
31-vjeçari do të kthehej në Shqipëri brenda pak ditëve, ku e priste e motra në qytetin e vendlindjes. Në telefonatën e fundit të bërë me të motrën, Dollani, ka qenë në tavolinë pikërisht me personat të cilët akuzohen për vrasjen e tij.
“Lëre Enin se ka pirë,” ka dëgjuar e motra e Dollanit të thotë miku i tij shqiptar me të cilin ndodhej në lokal, mëson Gazeta Shqip.
Këto fjalë dhe disa të qeshura, ishin kontakti i fundit mes 31-vjeçarit dhe motrës së tij. Më pas telefoni i Dollanit dilte i fikur.
Ka qenë pikërisht ky momenti që Dollani dhe tre miqtë e tij, një shqiptar, një vajzë greke dhe një pakistanez janë fiksuar nga kamerat e lokalit së bashku.
Po ashtu kamerat e sigurisë filmuan edhe momentin kur tre shokët e tij largoheshin nga vendi ku trupi i Eni Dollanit u gjet i groposur në plazh nga një banor i zonës dhe qeni i tij në zonën e Kartelas.
Shuma e madhe e parave prej 12000 eurosh që Eni Dollani me origjinë nga Gramshi kishte pasur me vete, dyshohet se u bë shkak që autorët ta rrihnin për vdekje dhe t’i vidhnin.
Tre personat e akuzuar si autorë të vrasjes kanë dalë sot para gjykatës.