Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj dy ditë më parë në Shëngjin.

Teksa policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, dëshmitarët që ndodheshin në lokal, në momentin kur Nikulaj u qëllua me breshëri plumbash kanë dhënë dëshminë e tyre.

Një mik i viktimës, i cili ndodhej shumë pranë Nikulajt ka treguar disa karakteristika të fizionomisë së vrasësit.

“Isha te dera edhe isha me fytyrë nga lokali nga Ardiani, kur më erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë. Ai më tha veç “largohu” dhe hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit dhe qëlloi ndaj tij. Autori ishte i gjatë, trup i mbushur, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend”.

Po ashtu, edhe banakieri i lokalit, që ishte në pronësi të viktimës, ka dhënë disa detaje mbi autorin duke u shprehur se nga ajo që kishte dëgjuar, autori kishte dialekt nga Veriu, ose nga Shqipëria e Mesme.

“Rreth orës 12:30-13:00, unë kam qenë në banak, dhe i ulur në tavolinën përballë ka qenë pronari Ardiani, i vetëm. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup. Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt. Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor”.

Në kuadër të hetimeve janë pyetur dy persona, babë e bir, me të cilët viktima ka pasur një konflikt 3 vite më parë me Nikulajn, por të dy kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasjen, edhe pse babai ka pranuar se biznesmeni 50-vjeçar i kishte rrahur të birin disa kohë më parë. Ndryshe nga i ati, i biri e ka hedhur poshtë pretendimin e tij.

Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës sapo kishte hyre dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë rreth orës 13:30 në 19 prill.