Autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj mbetet ende mister, teksa kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Shëngjin.
Policia e Shtetit ka nisur hetimet pas atentatit, ndërsa mësohet ka kryer kontrolle në Lezhë, në banesat e familjes Balaj, për shkak të historisë së hakmarrjes që kanë pasur të dyja fiset.
Në vitin 2000 dyshohet se persona të fisit Balaj kanë vrarë vëllanë e Nikulajt. Ky krim është pasuar me dy të vdekur nga ana e fisit Balaj, por për krimet në fjalë nuk ka pasur asnjë të arrestuar.
Megjithatë, pas kontrolleve të bëra sot, policia ka dalë duarbosh pasi asnjë nga djemtë e fisit Balaj nuk janë gjetur në banesë. Sipas të dhënave, ata ndodhen jashtë Shqipërisë.
Hetimet janë fokusuar në këtë pistë, në atë të gjakmarrjes dhe po shqyrtohen detaje mbi vendndodhjen e anëtarëve të fisit Balaj dhe lëvizjet e tyre.
Ardian Nikulaj (Marku) u vra këtë mesditë teksa ndodhej në lokalin e tij në Shëngjin. Një person veshur me jelek fosforeshent, i ngjashëm me atë të Policisë Rrugore, u fut brenda dhe qëlloi në drejtim të Nikulajt. Më pas u largua pasi jashtë e priste bashkëpunëtori me motor. Të dy janë zhdukur pa gjurmë dhe nga çfarë raportohet deri më tani, pasi kanë braktisur motorin, kanë hipur në një mjet tip ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë e targa angleze.