SPAK ka bërë një goditje të fortë në gjykatën e Krujës duke vënë në pranga një prej gjyqtareve më të përfolura në Shqipëri, Enkeleda Hoxhën.
Deri tani janë të paktën 10 persona të ndaluar për veprën penale të korrupsionit.
Gjithashtu mësohet se është arrestuar kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, si dhe avokati Aldo Tabaku.
Enkeleida Hoxha ka liruar nga burgu disa nga emrat më të rrezikshëm të botës së krimit, përmes vendimeve të dyshimta. Të gjitha vendimet janë dhënë para se ajo të përballej me Vetingun.
Enkeleida Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i falur dënimin përjetë.
Ajo ka liruar gjithashtu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari. Në të njëjtën ditë ajo firmosi daljen nga burgu edhe të Ilir Pajës, i akuzuar për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të Policisë, më 6 mars të vitit 2008. Paja po arrestohej për llogari të autoriteteve italiane që e kërkonin pas arratisjes nga burgu, ndërsa ishte i dënuar për dy vrasje.
Sipas raportit hetimor të ILD, gjyqtarja e Krujës ka dhënë 6 vendime në harkun kohor të maj 2017- nëntor 2019 që përbëjnë akte që diskreditojnë figurën e gjyqtarit.
ILD konstaton se gjyqtarja Hoxha ka kryer procese tërësisht të njëanshme teksa kujton se ajo ka gisht edhe në një vrasje të këtij viti, Hekuran Billës të cilin e liroi edhe këtë para kohe me kusht dhe në fund u ekzekutua./Gazeta SHQIP