Laert Haxhiu, një nga autorët e masakrës së Lushnjës më 11 shtator të vitit 2017, u arrestua në Janinë 6 vite pas krimit të rëndë ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.
I riu mbante dokumente të falsifikuara, ku prezantohej me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji. 31-vjeçari, i dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës, për masakrën, do të ekstradohet drejt vendit tonë. Ai kreu vrasjet në bashkëpunim me Orges Bilbilin, i dënuar me burgim të përjetshëm. Objektivi i tyre ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.
Ai u vu në pranga në Tiranë gjatë periudhës së izolimit gjatë pandemisë së COVID, pas përplasjes me efektivët që kryenin kontrollin në territor.
Arrestimi i Orges Bilbilit u bë në rrugën “Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, ku efektivi i “Shqiponjave”, i ka kërkuar lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit. Bilbili e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.
Njoftimi i policisë:
Policia greke këtë të martë ka bërë të mundur arrestimin e shqiptarit Laert Haxhiu, i cili është dënuar me 18 vite burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Në kuadër të operacionit të koduar “Eksponenti”, është bërë e mundur kapja e Haxhiut i cili qëndronte në vendin fqinj me leje dhe dokumenta të falsifikuara.
Policia greke ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë, i cili kishte ndryshuar dokumentet e identifikimit, me emer Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.
Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin e ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fusha të ndryshme, si dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale në lidhje me veprimtaritë kriminale ndërkufitare, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave apo grupeve kriminale që ushtrojnë këto veprimtari.