Pas denoncimit në Fiks Fare të shqiptaro-amerikanes Blinera Kosovrasti, e cila u shpreh se prona e saj në Dibër të Madhe është cenuar nga një ndërtim që, sipas saj, u krye pa leje mbi tarracën e përbashkët të godinës ku ka investuar rreth 500 mijë dollarë, kanë nisur hetimet.
Në lidhje me këtë denoncim dhe pretendim, Fiks Fare i është drejtuar me një shkresë zyrtare për të kryer një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme inspektuese në Komunën e Dibrës, të paraqitur në emër të Adrian dhe Blinera Kosovrastit nga Dibra. Në përgjigje të interesimit të Fiks Fare, Inspektori Administrativ Shtetëror Vesna Delkoska, i është përgjigjur duke deklaruar se pas inspektimit ka rezultuar se nga kontrolli i dokumentacionit zyrtar është konstatuar se bartës i së drejtës së pronësisë mbi parcelën përkatëse, si dhe i së drejtës së shfrytëzimit të tokës, në kuptimin juridik të fjalës, është shoqëria “Marçelo Residence” SHPK Dibër, e cila njëkohësisht është pronare e objektit mbi të cilin realizohet rikonstruksioni.
Pronari dhe personi përgjegjës i kësaj shoqërie është Ramis Maçkrelli, i cili figuron edhe si aplikues në procedurën që zhvillohet pranë Komunës së Dibrës. Në momentin e nxjerrjes së vendimit përkatës, aplikuesi “Marçelo Residence” SHPK Dibër ka qenë bartës i së drejtës së ndërtimit, ndërsa persona të tjerë nuk kanë mundur të përfshihen në procedurë, në përputhje me nenin 13 të Ligjit për Ndërtim.
Më tej sqarohet se Inspektorati Shtetëror Administrativ nuk ka kompetencë të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të nxjerra nga organet e pushtetit lokal dhe qendror, duke deklaruar se janë dorëzuar ankesa dhe dokumentacioni i plotë, në formë fizike dhe elektronike, organit kompetent të shkallës së dytë – Ministrisë së Transportit, e cila ka kompetencë për të vendosur lidhur me ligjshmërinë e akteve dhe procedurave të tilla. Gjithashtu, Komuna e Dibrës ka nxjerrë Vendimin nr. 10-146/7, datë 07.05.2026, me të cilin është hedhur poshtë kërkesa për përsëritjen e procedurës, e nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Dibrës.

Përgjigjja e plotë:
Lidhur me iniciativën tuaj për kryerjen e një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme inspektuese në Komunën e Dibrës, të paraqitur në emër të Adrian dhe Blinera Kosovrastit nga Dibra, të dorëzuar pranë Inspektoratit Shtetëror Administrativ në Shkup, së bashku me evidencën nr. 20-623, datë 27.04.2025, e cila ka të bëjë me procedurën për miratimin e projektit për adaptimin dhe rikonstruksionin sipas aktit nr. 129/6 të datës 18.03.2026, të nxjerrë nga Kryetari i Komunës së Dibrës, ju njoftojmë si më poshtë:
Inspektori administrativ kompetent ka kryer një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Komunën e Dibrës, duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura në kërkesën tuaj, si dhe duke zhvilluar biseda me personat zyrtarë të pranishëm gjatë mbikëqyrjes.
Nga kontrolli i dokumentacionit zyrtar është konstatuar se bartës i së drejtës së pronësisë mbi parcelën përkatëse, si dhe i së drejtës së shfrytëzimit të tokës, në kuptimin juridik të fjalës, është shoqëria “Marçelo Residence” SHPK Dibër, e cila njëkohësisht është pronare e objektit mbi të cilin realizohet rikonstruksioni. Pronari dhe personi përgjegjës i kësaj shoqërie është Ramis Maçkrelli, i cili figuron edhe si aplikues në procedurën që zhvillohet pranë Komunës së Dibrës.
Në momentin e nxjerrjes së vendimit përkatës, aplikuesi “Marçelo Residence” SHPK Dibër ka qenë bartës i së drejtës së ndërtimit, ndërsa persona të tjerë nuk kanë mundur të përfshihen në procedurë, në përputhje me nenin 13 të Ligjit për Ndërtim.
Në bazë të nenit 2 të Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 69/04, 22/07, 115/07, 51/11, 164/13, 41/14, 33/15, 156/15, 193/15, 53/16, 11/18 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 103/21, 6/23, 208/24 dhe 272/24), Inspektorati Shtetëror Administrativ nuk ka kompetencë të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të nxjerra nga organet e pushtetit lokal dhe qendror.
Meqenëse ndaj vendimit për miratimin e projektit për adaptim dhe rikonstruksion nr. 129/6, datë 18.03.2026, janë dorëzuar ankesa dhe dokumentacioni i plotë, në formë fizike dhe elektronike, i është përcjellë organit kompetent të shkallës së dytë – Ministrisë së Transportit, e cila ka kompetencë për të vendosur lidhur me ligjshmërinë e akteve dhe procedurave të tilla.
Gjithashtu, Komuna e Dibrës ka nxjerrë Vendimin nr. 10-146/7, datë 07.05.2026, me të cilin është hedhur poshtë kërkesa për përsëritjen e procedurës, e nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Dibrës. Ky vendim i është dorëzuar rregullisht përfaqësuesit tuaj ligjor, av. Shaban Shira nga Dibra, më datë 14.05.2026, dhe afati për ushtrimin e mjeteve juridike është aktualisht në rrjedhë.
Me respekt,
Inspektor Administrativ Shtetëror
- Vesna Delkoska/ Top Channel

