Pak më herët u shënua një ngjarje e rëndë në Tiranë teksa një person u gjet i pajetë.


Ngjarja ka ndodhur në Fushë Prezë, në kryqëzimin me Rrugën e Rinasit.


Personi në fjalë, i identifikuar si shtetasi Abdulla Budlla, është konstatuar i shtrirë në anë të rrugës pa shenja jete.


Policia deri tani ka njoftuar se 71-vjeçari ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë nga një makinë në lëvizje.


Efektivët e policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e autorëve.


Njoftimi i policisë


Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Njësia administrative Prezë.


Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.


Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.