Detaje të reja janë zbarhdur nga aksion Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i zhvilluar në zonën e Sarandës dhe Ksamilit për lidhjet e policisë me raste të ndërtimeve pa leje. Raportohet se pas dy efektivëve, është arrestuar edhe shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari.
Po ashtu, në pranga për shpërdorim detyre kanë rënë edhe një oficer krimesh dhe një specialist i zonës në Sarandë. Sipas burimeve, në fokus të hetimeve janë efektivë që dyshohet se janë përfshirë ose kanë favorizuar raste të ndërtimeve të paligjshme në këto zona bregdetare.
Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë. Një ditë më parë, policia e Sarandës arrestoi 8 persona që po kryenin ndërtime pa leje pranë vijës bregdetare, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e tokës ku po kryheshin punimet.

