Bëhet fjalë për Erjon Llapushin, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia dhe i dënuar me 17 vite burg për vrasje me dashje të kamerierit Gazment Kurmaku, ngjarje e ndodhur 2 Tetor 2021 në një lokal në Labinot-Fushë të Elbasanit.
Llapushi, jo vetëm që endej i lirë, por kishte punësuar dedektivë privat për parë nëse kishte përgjues në banesën e tij. Në dosjen e siguruar nga Anila Hoxha, është zbardhur dëshmia e dedektives 45-vjeçare, e cila nga Tirana shkoi në Pogradec për të mbikëqyrur banesën e të shumëkërkuarit.
Më 31 janar, rreth orës 09:00 ajo është nisur nga shtëpia nga qyteti i Tiranës për në qytetin e Pogradecit. Sapo ka mbërritur në qytetin e Pogradecit rreth orës 11:50 ka takuar një person emrin e të cilit nuk e di. Sapo e ka takuar, e ka ndjekur me makinën e saj dhe më pas janë ngjitur në këmbë të dy në katin e tretë të një banese private, ku çelësat e shtëpisë i kishte vetë personi, ka hapur derën dhe kanë hyrë në ambientet e shtëpisë për të bërë kontroll të këtij kati.
Siç tregon shtetasja I. Kipi, ambienti kishte dy dhoma gjumi, një kuzhinë, sallon dhe një sallon afer derës së daljes. Ka marrë një dedektor që shërben për njohjen e kartave sim ose pajisjet përgjuese dhe ka filluar të bëjë kontrollin e ambientit. Ka filluar me dhomën e gjumit bashkëshortore, dhomën e fëmijëve, kuzhinën më pas tek holli i jashtëm.
Siç thuhet në dosjen e siguruar nga Anila Hoxha, njëra nga prizat që ishte e lidhur me banjën, në momentin që e hapi ka konstatuar pajisjen përgjuese. Pajisjen nuk e ka hequr ,e ka vendosur përsëri mbrapa telave ku ishte dhe e ka vendosur në vend fazën e prizës që jepte masë, për mos e zënë korrenti dhe ka mbyllur përsëri prizën. Në këtë kohë djali që ndodhej me të i ka thënë që ka ardhur policia.
Dedektivja deklaron se nuk njeh Erion Llapushin dhe ishte hera e parë që shkonte në atë banesë. Për shërbimin që ajo do kryente do paguhej në shumën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë të reja, ku përfshihet shërbimi së bashku me rrugën, gjë të cilën është e përcaktuar në tarifë nga kompania.
45-vjeçarja është marrë nën hetim për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Përveç detektives, Policia ka vënë në hetim edhe një të afërm të Erjon Llapushit, i cili është personi që ka kontaktuar detektiven me qëllim që të gjendej një përgjues që dyshohet se ishte vënë në banesën e tij. /Top Channel/



