Plot 7 vite pasi Antonio Karafili u gjet i varur në një pemë në pyllin e Voskopojës, Prokuroria ka arritur të zbardhë ngjarjen e rëndë.

Ajo që më 14 qershor të vitit 2018 u cilësua si një vetëvrasje, në fakt rezultoi se ishte një krim i mirëmenduar nga e dashura e Karafilit, Keisi Spahillari dhe partneri i saj paralel, Rexhep Vathi. Sipas organit hetues, vajza, në atë kohë 17 vjeç dhe Vathi, 65 vjeç në kohën e krimit, e mbytën me çarçaf dhe e varën në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Gjithçka nisi pasi i riu kishte filluar të dyshonte për tradhtinë e të dashurës, me të cilën ishte i lidhur prej dy vitesh dhe ishin drejt fejesës. Në ditët e fundit ata ishin konfliktuar, e këtë fakt e kishte dëshmuar dhe ajo vetë para policisë.

Ajo ka treguar se ditën e vrasjes, me Antonion ishte takuar rreth orës 17:00 për të sqaruar një sherr që i dashuri i saj kishte me xhaxhin dhe kushëririn e saj. Po ashtu, pretendoi se Antonio kishte bërë skena xhelozie duke e akuzuar atë se kishte një lidhje paralele. E reja shtoi se pas debatit, rreth orës 20:00 ishin ndarë nga njëri-tjetri, ndërsa më vonë mësoi për ngjarjen e rëndë, kur dhe njoftoi prindërit e viktimës.

Megjithatë, provat kanë treguar se Keisi Spahillari dhe Rexhep Vathi kanë takuar Antonion në pyll, ku pasi e kanë mbytur me çarçaf, e kanë varur në pemë në mënyrë që të dukej se ai ishte vetëflijuar.

Policia e mbylli ngjarjen si vetëvrasje, por duke lënë pas shumë pikëpyetje.

E ëma e Antonio Karafilit nuk u bind nga versioni i vetëvrasjes dhe vazhdimisht ka kërkuar drejtësi, duke pretenduar se djali i saj ishte vrarë. Një ndër detajet që ngjalli dyshime ishte fakti se adoleshenti ishte varur në një degë pishe 1.48 metër nga toka, ndërkohë që ishte rreth 1.80 metër i gjatë. Madje, këmbët e tij preknin tokën në momentin që u gjet i pajetë, detaj që nuk shihet në skena të tjera vetëvrasjeje. 18-vjeçari gjithashtu kishte shenja dhune në hundë dhe në ballë.

Pasi çështja u mbyll, Keisi Spahillari vazhdoi jetën e saj dhe tashmë gjendet në Kanada, ku ka krijuar familje. Ndërkohë, bashkëpunëtori i saj në krim, Rexhep Vathi kreu vetëvrasje në vitin 2024. Në disa mesazhe të publikuara nga ditët e para të krimit mes Spahillarit dhe Vathit, ky i fundit shprehte se donte të ulërinte për atë çfarë kishte parë natën e krimit në pyll, e po ashtu i kërkonte të resë të ishte e kujdesshme.

Këto biseda, por edhe detaje të tjera i shpërbyen prokurorisë për të rihapur hetimet, e si rezultat çuan në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tronditëse. Tashmë, Keisi Spahillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe do duhet të përballet me akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim.