Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij humbën jetën sot pas një atentati në Balldre të Lezhës. Makina e tyre tip “Audi Q7” u qëllua me breshëri plumbash, duke i lënë ata të vdekur në vend. Autorët dyshohet se kanë vepruar të organizuar me dy automjete dhe janë larguar nga vendngjarja me dy automjete.
Nga të dhënat paraprake, Kreshnik Mujeci dhe kushëriri i tij Jozef Mujeci kanë qenë të hetuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2016, vrasjen e Genc Mhillajt. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër i ka shpallur të pafajshëm më 27 nëntor 2018.
Më pas, Gjykata e Apelit në Shkodër më 6 nëntor 2019 ka rrëzuar ankimin e Prokurorisë, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ndërsa Gjykata e Lartë më 31 tetor 2024 ka vendosur kthimin e çështjes për rigjykim.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të atentatit, identifikimin e autorëve dhe motiveve të mundshme.


