Policia ka arrestuar një 30-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim babain e tij pasi në banesën e tyre në Maminas iu gjet një kallashnikov dhe pistoletë.
Në pranga ka rënë Saimir Sefaj, ndërsa po punohet për kapjen e 54-vjeçarit Shefqet Sefaj. Nga kontrollet në banesën e tyre në Maminas, u gjetën 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë), 4 karikatorë dhe 157 fishekë luftarak, informuan blutë.
Njoftimi i policisë:
Shijak/Finalizohet operacioni policor i koduar “Double”. Mbanin në banesën e tyre në Maminas, 1 kallashnikov dhe 1 pistoletë, arrestohet 30-vjeçari dhe shpallet në kërkim babai i tij. Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 karikatorë dhe 157 fishekë luftarak.
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, me objektiv ndalimin e shtetasve që posedojnë armë zjarri pa leje dhe janë rrezik potencial për sigurinë publike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak finalizuan operacionin “Double”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 30 vjeç dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi Sh. S., 54 vjeç. Nga kontrollet në banesën e tyre në Maminas, u gjetën 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë), 4 karikatorë dhe 157 fishekë luftarak. Punohet për kapjen e 54-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.




