Gazetari Artan Hoxha ka komentuar aksionin e Policisë së Shtetit në kampin e Muxhahedinëve (MEK) të vendosur në Manzë, pas urdhrit të Gjykatës së Tiranës.

I ftuar në emisionin “TopTalk” në Top Channel, Hoxha tha se ndërhyrja e policisë në këtë kamp ka qenë shumë e vështirë, pasi aty brenda jetojnë njerëz të stërvitur ushtarakisht.

Ai shtoi se brenda kampit ka një nivel të lartë sigurie, duke sjellë si shembull dhe një eksperiencë të tijën. Ai tregoi se dikur kishte provuar të ngrinte një dron mbi kampin për të parë se çfarë po bëhej brenda tij, por nga sistemi i sigurisë droni ishte rrëzuar.

“Ndërhyrja e policisë aty brenda ka qenë shumë e vështirë, për shkak se aty ke njerëz të sprovuar dhe shumë të aftë ushtarakisht. Ata aty kanë një nivel shumë të lartë sigurie. Një herë tentova të ngre dronin aty brenda dhe nuk e arrita qëllimin, pasi ra. E kuptoni me çfarë niveli sigurie kemi të bëjmë”, u shpreh Hoxha.