Dy punonjës të IKMT-së Tiranë janë arrestuar pasditen e sotme nga policia e Beratit.
Ata janë arrestuar në banesat e tyre në qytetin e Tiranës dhe janë dërguar në ambientet e Komisariatit të Policisë Berat, pas masës së sigurisë “arrest në burg” që është dhënë sot për ta, nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat.
Shtetasit E.B. dhe A.D., të dy inspektorë të IKMT-së akuzohen për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”. Mësohet se këta dy shtetas ishin në hetim penal nga Prokuroria e Beratit që prej vitit 2021.
Nga hetimet, ka rezultuar se dy punonjësit e IKMT-së shkonin për kontrolle në shumë subjekte të përpunimit të pllakave të gurit dekorativ në Malin e Tomorrit dhe në këmbim të vlerave monetare që merrnin, nuk mbanin asnjë akt-konstatimi për shkeljet e evidentuara nga firmat e gurit në Tomorr.