Majlinda Sula nuk do të ndalet derisa të vendosë drejtësi për të vëllanë që ia sollën pa zemër nga Spanja.

Nga protesta që mbajti në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë, Majlinda thotë se vendi i radhës ku do të bëjë të njëjtën gjë do të jetë Brukseli. Motra e Saimir Sulës shton për mediat se e gjithë BE-ja duhet ta marrë vesh se po përpiqen të arkivojnë një dosje që ka zbuluar trafikun e organeve që zhvillohet në një spitalet më të mëdha të Barcelonës. 

“Ne do të vijojmë ne nuk lodhemi asnjëherë. Sado e vështirë të jetë kjo rrugë, unë do të bëj drejtësi për tim vëlla. Do të mbaj një tjetër protestë në Bruksel. Sepse Spanja është pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe Bashkimi Evropian duhet ta marrë vesh këtë gjë. Unë kam mbajtur protestë në Barcelonë dhe nuk do të ndalem. Do të shkoj në Bruksel, sot do të marshojmë para kryeministrisë,”- tha Sula.