Në foton e mëposhtme shihet përmbajtja e e-mail që alarmoi ditën e sotme autoritetet në vend.E-mail u dërgua në disa institucione të vendit, si ministri, gjykata dhe prokurori, e po ashtu, në bashkinë e Durrësit.
Pas këtij njoftimi Policia e Shtetit ndërmori disa akisone duke kontrolluar në të gjitha institucionet që u kishte ardhur ky mesazh. Edhe në ambienetet e SPAK policia kreu kontrolle me qen antieksplozivë, por nuk konstatuan asgjë që mund të cenonte sigurinë e institucioneve dhe punonjësve të tyre.
“Përshëndetje! Kjo është shteti islamik. Me vullnetin e Allahut kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do t’ju vrasim”, shkruhet në e-mail.

Njoftimi i policisë:
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime. Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.


