Sot në mesditë përfundon afati për të gjithë ata që duan të garojnë për postin e kryetarit Partisë Demokratike.
I vetmi kandidat në garë deri tani është lideri historik i PD-së, Sali Berisha, i cili duket se do të jetë edhe kandidati i vetëm për drejtimin e PD-së në 4 vitet e ardhshme.
Sipas udhëzimit të PD-së, që mban datën 18 mars, ata që duan të kandidojnë për të qenë kryetar i Partisë Demokratike duhet të dorëzojnë dokumentacionin deri në orën 12:00 të datës 30 prill.
Sipas udhëzimit, përveç integritetit të figurës, kandidati duhet të ketë pasur edhe një angazhim të paktën 10-vjeçar në PD. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare. Dokumentacioni, përveç kërkesës për kandidim dhe CV-së, përbëhet edhe nga formulari i plotësuar i pastërtisë së figurës.
Në vendim thuhet se komisioni ka vendosur që “afati për depozitimin e kërkesës për kandidim, së bashku me dokumentacionin përkatës sipas parashikimeve të Statutit të PDSH-së, Rregullores së Brendshme të PD-së dhe Kodit të Etikës, është data 30 Prill 2026 ora 12:00”.
Deri më tani kandidati i vetëm që është konfirmuar është Sali Berisha i cili synon të drejtojë PD edhe për 4 vitet e ardhshme. Ndërkohë, më 30 maj demokratët do të mbledhin Kuvendin Kombëtar, për të diskutuar mbi aksionet e PD-së dhe ndryshimet në strukturat e saj.
Ky udhëzim saktëson se kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere; të jenë anëtarë të PD-së prej të paktën 10 vitesh, të kenë profil shumë të lartë publik e politik, të kenë eksperiencë drejtuese në betejat politike të PD-së, e të mos preken nga ligji i dekriminalizimit.
Në datën 17 mars, kryesia e PD vendosi që zgjedhjet për kryetarin e PD të zhvillohen në datë 23 maj. Publikisht ambicien për të kandiduar për kryetarin e PD e ka shprehur edhe ish-deputet,i Ervin Salianji, por PD ka deklaruar se ai është përjashtuar nga partia duke bërë të qartë se nuk ka të drejtë të kandidojë.
Në këtë situatë duket se më 23 maj i vetmi kandidat do të jetë Sali Berisha, i cili do të kërkojë besimin e demokratëve për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme. Sali Berisha ka dominuar PD prej krijimit të saj, në dhjetorin e vitit 1990. Ai u zgjodh kryetari i PD në vitin 1991 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1992 kur u bë Presidenti i Shqipërisë. Berisha u rikthye në krye të PD në vitin 1997 dhe e drejtoi këtë parti deri në vitin 2013 kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në shtatorin e vitit 2021, Berisha nisi lëvizjen “Foltorja” pasi Lulzim Basha, asokohe kryetar i PD-së, e përjashtoi nga Grupi Parlamentar. Në dhjetorin e vitit 2021 demokratët shkarkuan Lulzim Bashën dhe në 22 majin e vitit 2022, Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD-së.

