Valter Bami, i cili u ndalua mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës, ka mohuar sërish të jetë pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentian Bejtjas ku humbi jetën Ramazan Sino dhe të plagosur mbetën djemtë e Gentianit, 10 dhe 13 vjeç.

Gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Vendore të Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja po qëndronte në shtëpi, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si të seancës së parë të marrjes në pyetje pak orë pas ngjarjes.

Valter Bami u ndalua dje nga policia dhe u shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.

Sipas policisë, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.

Valter Bami sipas policisë është ndaluar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 3 Korrik në fshatin Larushk të Krujës, ku në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjas u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë u vra kunati i tij Ramazan Sino.

Për herë të parë, Bami u shoqërua rreth orës 04:00 të 3 Korrikut. Atij iu mor deklarimi për këtë ngjarje dhe më pas u la i lirë. Ndërsa këtë të enjte, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë janë gjetur sipas policisë faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, që do të thotë mbetje të barutit. Ndaj në bazë të ekspertizës, Prokuroria lëshoi edhe urdhrin e ndalimit.

Kujtojmë se vëllezërit Bami dhe Gentian Bejtja kanë qenë miq mes tyre, por në vitet e fundit ata dyshohet se kanë kërkuar eliminimin e tij, për shkak të informacioneve që ish-punonjësi i policisë mund të ketë pasur për krimet e tyre. Ka raportime së fundi se Bejtja strehohej te një grup kriminal që operon në zonën e Lezhës, kundërshtar me ‘të fortët’ e Niklës.