Kandidati Aulon Kalaja është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtë të martë.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ai është paraqitur për të depozituar dy kallëzime, në lidhje me pretendimin e tij se më 11 maj ka pasur krim zgjedhor. Kalaja pretendon se votat e tij janë tjetërsuar dhe i janë atribuuar një tjetër kandidati.

 “SPAK të sekuestrojë kutitë, ndërkohë unë do e çoj këtë çështje në Kushtetuese. Bëhet fjalë për 3 persona që kanë bashkëpunuar, kanë marrë vota dhe i kanë dërguar tek një x kandidat. Kjo nuk diskutohet fare. Duhet bërë hetim i gjithanshëm, ky është krim zgjedhor.

Është një grup i strukturuar kriminal bëhet fjalë për bashkëpunim të një grupi numëruesish me një person të caktuar që ka përfituar vota në këtë rast. Ka njerëz që kanë futur duart tek votat e shqiptarëve duke i marrë 42 vota një kandidati, nuk është gabim njerëzor. I kam përcaktuar kutitë ku ka krim zgjedhor, SPAK i ka gati. Është hetim shumë i thjeshtë.

Beteja ime do të vazhdojë, kam depozituar dy kallëzime  këtu. Ndërkohë do të vazhdoj edhe në Kushtetuese për të goditur Kolegjin Zgjedhor që më rrëzoi për legjitimitet dhe një vendim tjetër që Kodi Zgjedhor ua pamundëson kandidatëve procesin e numërimit të votave, është antikushtetues.

Jam në dy procese paralele, në SPAK për sekuestrimin e kutive dhe rinumërimin dhe në Kushtetuese pikërisht për këtë nen.”,– tha ai.