Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat me një qytetar ditën e sotme, teksa mori pjesë në prezantimin e projektit për rigjallërimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë
Qytetari deklaroi se e kishte bërë legalizimin duke bërë pagesa nën dorë, për shkak se nuk mund ta merrte ndryshe. Nga ana tjetër, u ankua se rruga është gjithë gropa dhe i kërkoi Ramës që ta rregullojë.
Kryeministri nga ana tjetër, i kërkoi që të denonconin personin të cilit ai i kishte dhënë paratë, e nga ana tjetër, e akuzoi qytetarin se kërkon të bëjë politikë.
Debati mes Ramës dhe qytetarit:
Qytetari- Po vijmë shumë, rrugët gropa-gropa, s’po them për legalizimet se e kam bërë vetë, s’ma ka bërë as PS as PD, besoj e kupton si e kam bërë, si gjithë të tjerë. A ka mundësi të na ndihmoni për rrugën? Mos të rrimë duke ndërruar gomat e makinave. Në momentin që do të bësh kotec pulash të vjen IKMT, policia bashkiake, njëri do 5 mijë, tjetri 20 mijë euro.
Rama- Hajde me mua, shkojmë së bashku të denoncojmë njeriun që i ke dhënë lekët. Jo me diskutime koti!
Qytetari- Unë nuk jam as i majtë dhe as i djathtë. Të jap votën nëse më bën rrugën!
Rama- Nuk kemi ardhur për vota këtu, por hajde t’i vëmë emër personit që fole aty. Ose gënjeve! Vëri emër!
Qytetari- Nëse unë nuk hyj më në gropa rruge, të jap votën…!
Rama- Do vish me mua…Do tregosh personin që i ke dhënë lekët! Kjo teoria se dhashë lekë dhe pastaj jo si gjithë të tjerët… Sepse nuk e ke të vërtetë, se gënjeve, për të bërë politikë me mua.
Qytetari-Nuk më intereson fare e majta e djathta, kush më bën punën i jap votën. Është e vërtetë japin edhe sot lekë.
Rama- Lerë atëherë, por sot, sot, po je burrë hajde me mua! Kam parë shumë si puna jote unë, që flasin dhe pastaj… (bën me shenjë ikjeje) Hajde me mua, të thashë, vëri emër, jo llafe kot.
(qytetari vijon nga distanca të flasë)
Rama- Ik se na lodhe tani, vëri emër personit… (i përgjigjet qytetarit nga distanca teksa ai vijon dhe flet)!
Qytetari-Pasha Zotin o kryeministër, pasha Zotin…



