Një ditë pasi përfundoi te Trauma nga trazirat në protestën e opozitës, aktivisti Aulon Kalaja shprehet për Top Channel se është dhunuar nga 4 efektivë.
Në një intervistë për gazetaren Dorjana Bezat, Kalaja thotë se është goditur pas qafe, si dhe ndaj tij janë hedhur disa sprej. Kalaja thotë se do të bëjë dy kallëzime në Prokurori, një për kallëzimin e rremë që është bërë ndaj tij dhe një tjetër për atë që ai e quan torturë në protestë.
Intervista e plotë:
-Z. Kalaja, Policia e Tiranës ju ka proceduar për goditje për shkak të detyrës, ndërkohë që ju gjatë kësaj proteste pësuat lëndime dhe përfunduat në spital. Si e shihni gjithë këtë panoramë?
Kalaja: Unë vij nga aktivizimi dhe kam marrë pjesë në shumë protesta, por kjo është hera e parë në jetën time që dhunohem. M’u duk shumë e çuditshme, jo profesionale. Unë humba ndjenjat kur tentova të nxirrja një protestues nga radhët e policisë. Në ato momente jam goditur dy herë me shkelma nga dy policë të ndryshëm, tentova të mbahem, kam kapur skafandrën e një polici, aty jam goditur nga dy policë të tjerë me skafandër në pjesën e qafës. Më vonë më janë hedhur nga tre drejtime sprej dhe piper, nuk e di çfarë lëndësh ishin, kam kërkuar analiza toksikologjike. Më vonë kam humbur ndjenjat dhe më çuan në spital. Më thanë për shembje pas koke dhe në qafë dhe më dhanë qaforen për ta mbajtur tre javë. Mbrëmë nuk kam fjetur fare edhe nga djegia që kam në kokë dhe në sy, por më shumë kam probleme me qafën. Këta të rrahin dhe nuk të lënë të qash. Nëse mendojnë se kam goditur policinë, nuk është në formimin tim, absolutisht nuk kam pasur probleme me forcat e rendit. Do të shkoj menjëherë në polici dhe prokurori për të kallëzuar personin që më ka kallëzuar mua për një kallëzim të rremë dhe gjithë procedurën antikushtetuese dhe të drejtën time si një protestues normal. Në rast se këta mendojnë se do më ndalin, unë ju them: protesta bam, unë ja ku jam. Këto janë metoda fashiste. Unë do jem në shesh kundër të gjitha padrejtësive që unë i mendoj të tilla.
-Për ju, reagimi i policisë ishte jo proporcional një ditë më parë?
Kalaja: Ishte jo profesional, jo proporcional, ishte organizim policor që nuk e kisha parë herë tjetër. Qëllimi i djeshëm ka qenë shpërndarja e protestës. Kam qenë me Luçiano Boçin dhe Klevis Balliun, kemi qenë me gazetarët dhe aty jemi goditur. Ka qenë e panevojshme dhuna, nuk e di cili do jetë justifikimi i policisë. Më ka bërë përshtypje edhe diçka tjetër kur më erdhi vetëdija. Kam parë vizitën e ministrit të Brendshëm te disa policë që erdhën duke u zgërdhirë në spital dhe ministri i Brendshëm nuk gjeti kohë të më vizitonte apo të më pyeste, edhe unë jam qytetar. Ai është ministër i qytetarëve shqiptarë, nuk është ministër i PS. Kam qenë njeriu i dëmtuar në spitalin e Traumës.
-Kallëzimi që do të bëni do t’i drejtohet kujt?
Kalaja: Së pari për personin që më ka kallëzuar mua që unë paskam goditur punonjësin e policisë dhe së dyti për torturë. Është çështja e torturës, të dalësh në protestë dhe të torturohesh është e paligjshme.
-Diçka tjetër për të shtuar?
Kalaja: Dua t’i bëj thirrje Policisë së Shtetit të ruajë gjakftohtësinë dhe të jenë të përmbajtur. Kanë dashur të vendosin një vijë të kuqe. Ata gjuajnë te njerëzit, ndërkohë protestuesit gjuajnë te pllakat. Nuk ndalen protestat me këto metoda fashiste. Në rast se mendojnë se mund të më intimidojnë, unë do jem në shesh.

